Këshillimi pedagogjik në lëmin e Informimit dhe Orientimit Profesional

Këshillimi pedagogjik në lëmin e Informimit dhe Orientimit Profesional

 Ky artikull është botuar në revistën “Hikmet”, nr. 2, Verë, Prishtinë 2013, organ i “Institutit për shkencat humane – Ibni Sina”.

MA. Luljeta Veselaj

 

Abstrakt

 

Ky punim pasqyron në mënyrë objektive problemet e informimit dhe orientimit të drejtë në zgjedhjen e profesionit.  Është plotësisht e kuptueshme se një nga faktorët kyç për të arritur një sukses në procesin e punës është informimi dhe orientimi i drejtë profesional. Rëndësia e bashkëpunimit të nxënësve me këshilltarët pedagogjik në përzgjedhjen e profesionit mbetet pikë referimi dhe objekt i vazhdueshëm studimi e hulumtimi.  Duke ju referuar botimeve dhe monografive të autorëve më të spikatur vendor e të huaj dhe burimeve nga interneti, jam përpjekur ta trajtoj në mënyrë sa më gjithëpërfshirëse. Hulumtimi i këtij problemi në aspektin teorik, praktik dhe empirik ka për qëllim të vë në pah disa nga problematikat kryesore që paraqiten në fushën e informimit dhe orientimit të drejtë profesional.  Ideja e këtij punimi ka të bëjë më shumë me impresionimin tim lidhur me kompleksivitetin e kësaj problematike. Informacionet që ofron ky punim mund të shërbehen me qëllim të shtimit të efikasitetit në fushën e informimit dhe orientimit profesional.

 

 

Hyrje

 

Këshillimi pedagogjik në lëmin e Informimit dhe Orientimit  Profesional është proces i organizuar, i cili jep mundësi të shumta dhe të përshtatshme profesionale për themelimin e karrierës gjatë gjithë jetës.  Ky proces fillon të zhvillohet që nga fëmijëria e hershme. Andaj duhet nxitur, përkrahur e organizuar në mënyrë sistematike duke u nisur nga familja, shkolla dhe gjithkah ku zhvillohet jeta e secilit fëmijë.  Hulumtimi i problemit paraqet përpjekje shkencore për të përcaktuar disa masa promovuese në ngritje të funksionimit efikas të këshilltarëve pedagogjik në shkolla.Duke u nisur nga thënia: ”Njeriu kalon më shumë se një të tretën e jetës duke punuar, është shumë e rëndësishme që ta zgjedhim profesionin të cilin e dëshirojmë dhe të cilin do ta punojmë me kënaqësi”[1]

 

Zgjedhja e drejtë e profesionit nënkupton edhe angazhimin e duhur të shumë faktorëve, në mesin e të cilëve rolin kryesor e ka shkolla dhe familja. Suksesi i duhur i nxënësve është shumë i rëndësishëm në informimin dhe orientimin profesional të nxënësve.  Ndikimet e drejtpërdrejta të këshillimit pedagogjik përherë do të mbeten objekt studimi i shumë hulumtuesve.  Prandaj, është e domosdoshme që familja dhe shkolla të jenë në lartësinë e   detyrës dhe misionit të vet.  Duhet të bëhet e qartë se momenti i këshillimit është një bastë që   nuk duhet humbur , siç thotë Oskar Wilde: ”Është e pabesueshme të konstatosh numrin e të rinjve, që e fillojnë jetën me një fat të përsosur çfarëdo”[2]

 

Synimi i punës është që t’i japim lexuesit një njohuri të shkurtër, por komplekse për çështjen në fjalë.  Të ofrojmë edhe idetë tona përkitazi me rikthimin dhe funksionimin efikas të shërbimit psiko-social dhe pedagogjik në shkollat tona me qëllim të informimit dhe orientimit të qëlluar në karrierë të nxënësve të shkollave të mesme të ulëta.

 

 

 

Roli i këshilltarëve pedagogjik në informim dhe orientim profesional të nxënësve

 

Gjatë gjithë kohës së fëmijëve brenda shkollës, këshilli pedagogjik kryen funksione të natyrave të ndryshme të cilat ndërthuren njëra me tjetrën. Pas familjes, si qelizë bazë e shoqërisë, këshilltarët pedagogjik kanë një rol të veçantë në edukimin e fëmijëve me vlera të cilat do ta udhëheqin gjatë gjithë jetës, në çdo situatë që do të ndodhet.  Për faktin se është e rëndësishme që sa më herët të fillojë puna në çështjen e informimit dhe orientimit profesional, këshillimi pedagogjik është faktori shumë i rëndësishëm që i takon kjo detyrë.  Ngase shumica e fëmijëve vihen në pozitë që të përcaktohen për profesionin e tyre të ardhshëm , është e domosdoshme që sa më herët, pra që në periodën parashkollore të fillojë puna në këtë drejtim.  “Prindërit informimin dhe orientimin profesional duhet ta kuptojnë dhe trajtojnë si detyrë të rëndësishme edukative.  Po ashtu prindërit periodën parashkollore duhet ta trajtojnë si periodë të përshtatshme për nismën e punës në këtë drejtim dhe njëkohësisht duhet të gjejnë mënyra, forma, përmbajtje e mjete, të cilat mund t’i shfrytëzojnë me qëllim të realizimit të këtyre detyrave të punës”.[3]

 

Këshilltarët pedagogjik qëllimin dhe detyrat e Informimit dhe Orientimit Profesional i realizojnë duke shfrytëzuar lojërat, lodrat pastaj profesionet e tyre dhe të afërmeve tjerë, librat, revistat, programet e TV, radios, panairet etj.  Prindërit duhet të jenë sa më ranë fëmijëve të tyre , sepse “nëse fëmija nuk ka afër veti një të rritur, i cili do të kujdesej për të, zhvillimi i interesit të tij do të jetë i dëmtuar “[4] pohon klasiku Magda B. Arnold.  Prandaj prindërit gjithmonë duhet të jenë të gatshëm për biseda, sepse ata njohin më së miri prirjet, afinitetet, dëshirat e aftësitë e fëmijëve të tyre.  Për këtë arsye ata gjithmonë duhet të jenë të gatshëm për bashkëpunim me shkollën e posaçërisht me këshilltarët pedagogjik.  Me gjithë këtë ndodh shpesh që disa prindër në mungesë të përcjelljes sistematike, ua detyrojnë shkollën e profesionin që duhet zgjedhur, sepse nuk i shohin objektivisht mundësitë e fëmijës së tyre dhe nuk kanë pasur ndonjë konsultë me këshilltarët përkatës në drejtim të informimit dhe orientimit profesional.  Po ashtu ata krijojnë averzione ndaj një profesioni, ose grup profesionesh dhe këtë e bartin te fëmijët e tyre duke krijuar paragjykime për “kualifikime e përcaktime përmbajtjesore vetëm për meshkuj ose vetëm për femra, për profesione të ulëta, të rënda”[5] etj.Padyshim udhëzimet dhe këshillat që japin këshilltarët pedagogjik, janë njëri ndër faktorët më me influence në zgjedhjen e profesionit te të rinjtë.

 

Ndikimi i këshillimit pedagogjik është i kushtëzuar nga disa faktorë:

karakteristikat sociale, përbërja dhe numri i anëtarëve, profesioni dhe arsimimi i prindërve, kontaktet sociale , bashkëpunimi me prindër,  kushtet materiale dhe kushtet e jetesës së nxënësit (qytet, fshat), klima shpirtërore ndaj aktiviteteve, veprimtarive (profesioneve) të caktuara, aktiviteti në kohën e lirë, detyrimet dhe përgjegjësit e të rinjve në shtëpi, arsimimi, interesimet dhe aspiratat e prindërve dhe anëtarëve tjerë të familjes. Një numër i madh studimesh në Perëndim tregojnë se statusi socio-ekonomik i familjes, ndikon dukshëm në përkrahjen e vlerave të caktuara, sferave të veprimtarisë dhe në vet zgjedhjen e profesionit.

 

Bashkëpunimi i shkollës dhe familjes në lëmin e Informimit dhe Orientimit Profesional të nxënësve

Roli dhe rëndësia e bashkëpunimit të shkollës me familje është shumë e rëndësishme për një orientim të drejtë profesional të fëmijëve.  Angazhimi i shumë faktorëve me bashkë mendim, bashkëveprim, na jep rezultate të plota, siç thotë populli “shumë sy shohin më shumë, shumë koka dinë më shumë dhe më mirë”.[6]

 

Aktualisht të gjitha programet shkollore i referohen këshillimit duke e konfirmuar rolin e elementit strategjik në formimin e personalitetit.  Nuk ka dyshim se orientimi shkollor pas periudhës së shkollimit të detyruar nënkupton një zgjedhje të vërtetë e të vetme jetësore, ndonjëherë me pasoja të pakthyeshme.

 

Familja me shkollën ndajnë misionin e tyre thelbësor në arsimimin dhe edukimin e të rinjve në përgjithësi dhe në kontest edhe të çështjes së orientimit profesional.  Partneriteti ose bashkëpunimi duhet të mishërohen sipas principeve themelore të njohura dhe të respektuara nga të gjithë.  Ai forcon potencialin dhe kompetencat, forcat dhe energjitë e individëve e institucioneve duke paraqitur krijimtarinë e përbashkët që favorizon nxënësin, i cili ka nevojë më shumë se kurrë më parë për mbështetje të këtyre dy subjekteve.  Shkolla ka te familja dhe tek prindërit bashkëpunëtorin më të ngushtë dhe më të interesuar.  Është detyrë e mësimdhënësit që të bëjë gjithçka për të siguruar koherencën e duhur ndërmjet kushteve të jetesës së fëmijës dhe përmbajtjes së të mësuarit, përndryshe do të kemi shkëputje shkollë-familje.  Pra, “fokusi i këtij partneriteti është drejt fëmijës sepse ata janë arsyeja për të cilën të gjithë ndodhen aty.  Ky partneritet u ofron fëmijëve një model se si të rriturit punojnë së bashku për të krijuar një mjedis të këndshëm për të mësuar”.[7] Në rastet kur mungon ky bashkëpunim, ndodhin gabime në zgjedhjen e profesionit .

 

Pasojat e mos orientimit të drejtë të nxënësve rezultojnë me pakënaqësi në profesion, punë, rënie të produktivitetit të punës, mungesat në punë, etj.  Për evitimin e këtyre problemeve, shkolla me këshilltarët pedagogjik duhet të mbajë përgjegjësi dhe t’i jap mbështetje përmes vizitave në familje, vizitat e shkollës, broshurat, porositë javore , shënimet individuale, kutitë për sugjerime, lidhja prind – prind etj..Me zgjedhjen e drejtë të profesionit në të ardhmen do të krenohet jo vetëm nxënësi , familja e tij  por edhe shkolla e mbarë shoqëria.

 

Shërbimi i orientimit shkollor – profesional

 

Në shtjellimin e këtij punimi jemi përpjekur të vëmë në dukje se këshilltarët pedagogjik në shkolla (pa përjashtuar edhe faktorët e tjerë) janë faktorët më me ndikim dhe si të tillë më të rëndësishmit në procesin e Informimit dhe Orientimit Profesional të nxënësve.

 

Në mbështetje të analizës empirike,  rezultatet tregojnë se mungon bashkëpunimi i këshilltarëve pedagogjik me nxënësit në lëmin e Informimit dhe Orientimit Profesional . Për ngritjen e këtij funksioni sugjerojmë promovimin e disa masave si:

- Organizimin e shërbimit shkollor me të gjitha kërkesat e tij, pasqyrimin e legjislacionit shkollor, funksionimin nëpërmjet ngritjes së organizmave përkatëse , trajnimin e personelit të shërbimit , realizimin e botimeve që mbështesin atë etj.

- Bashkëpunimin e këtij shërbimi me nxënësit dhe familjen duke i harmonizuar qëllimet e shkollës dhe të familjes në këtë aspekt.  Inkuadrimi obligues i prindërve në shkollë për qëllime të Informimit dhe Orientimit Profesional të nxënësve.

 

Konceptimin e këtij shërbimi me parametra bashkëkohore dhe në përshtatje me kushtet tona: konceptimin diagnostik të orientimit ( që kërkon përkimin e aftësive reale të nxënësve me aftësitë e kërkuara) krahas konceptimit pedagogjik.

 

Duke e konceptuar si shërbim që ofrohet në të gjitha shkollat dhe me një spektër të gjerë diagnostiko-pedagogjik dhe edukativ, kuptohet që personeli i shërbimit të orientimit shkollor do të jetë i gjerë.  Në vendin tonë si fazë e parë është mirë që t’u besohet disa mësimdhënësve, duke organizuar për ta kualifikim të veçantë dhe pagesë  suplementare. Njëkohësisht duhet të institucionalizohet pozicioni dhe roli i këshilltarit pedagogjikë për informim dhe orientim profesional në shkollë, i cili do të fuqizonte bashkëpunimin ndërmjet shkollës dhe familjes në funksion të orientimit profesional të nxënësve.

 

Rekomandime për këshilltarët pedagogjik

 

Të hartojnë një program të veçantë për trajtimin e nxënësve;

Të organizojnë vizita të prindërve në shkollë;

Të marrin të dhëna të duhura për fëmijët jo vetëm nga prindërit e tyre por edhe nga institucionet parashkollore, të përcjellin vazhdimisht zhvillimin psiko-fizik e social te tyre.

Të organizojnë takime midis personelit të shkollës fillore dhe atij të shkollës mesme të ulët.

Këshilltari i orientimit duhet të ketë parasysh rezultatet e nxënësit, kushtet sociale, shëndetësore, interesat e familjes etj., në mënyrë që në fushën e kurrikulës ai t’iu jap informacion dhe këshillim nxënësve e prindërve për arsimin e mesëm të lartë , të përgjithshëm e profesional, për qëllimin dhe përmbajtjen e çdo tipi shkolle, kërkesat e hyrjes, diplomat që lëshohen nga shkolla e mesme në fund të saj mundësitë që ajo krijon për një studim të mëtejshëm etj.

 

Rekomandime për nxënës

 

Ju qëndroni para zgjedhjes së profesionit. Tani është koha që të mendoni seriozisht.

Shumë njerëz pran jush, si: prindërit, mësimdhënësit,  të afërmit e miqtë,  gjithnjë do t’iu pyesin se çfarë do të bëheni ju?  Pranimi i ndihmës është shenjë e forcës dhe cilësi e një të rrituri, kjo do t’iu shërbejë për një rrugë të mirë në ardhmëri. Këshilltarët e shkolluar profesional do t’ua përshkruajnë realisht rrugën që shpie te profesioni i ëndrrave tuaja. Provoni dhe njihni profesionet, sa më shumë që është e mundur. Kjo është më së miri për të parë nëse ju pëlqen një profesion apo jo.

- Vendimin për zgjedhje të profesionit përgatitni mirë duke i përfill aftësitë dhe interesat personale.

- Kërkoni regjistrin e profesioneve në këshillimore për profesione e karrierë.

- Kërkoni informacione nga burimet e ndryshme dhe këshillohuni me prindër , mësimdhënës , shërbimet profesionale, të afërmit etj.

-Mos u dekurajoni nga refuzimet.

- Gjithmonë planifikoni edhe alternative tjera , apo zgjidhje kalimtare.

- Mos nxitoni – mos humbisni mundësit.

 

Përfundimi

 

Duke u nisur nga supozimi ynë se Këshillimi pedagogjik në lëmin e Informimit dhe Orientimit Profesional të nxënësve të shkollës së mesme të ulët nuk është në nivel të kënaqshëm. Në përmbyllje të këtij punimi do përpiqemi që në mbështetje të analizës t’i të japim disa konkluzione lidhur me problematiken.

  • Mungesa e bashkëpunimit të shkollës-këshilltarëve pedagogjik me nxënësit në funksion të Informimit dhe Orientimit Profesional është evidente në vendin tonë. Pasi që faktorët kyç të këtij bashkëpunimi janë nxënësit dhe këshilltarët pedagogjik, të cilët lidhin dy institucione të rëndësishme atë të shkollës dhe familjes.
  • Bashkëpunimi i shkollës me nxënësin në funksion të Informimit dhe Orientimit Profesional është shumë i nevojshëm dhe  ka rëndësi shumë të madhe, ndonëse aktualisht iniciativa për bashkëpunim mungon.
  • Implementimi i Informimit dhe Orientimit Profesional si lëndë mësimore në shkolla është shumë i rëndësishëm,  veçanërisht në klasën e nëntë.
  • Shkaktarë i mungesës së bashkëpunimit është mos angazhimi i mjaftueshëm i familjes.
  •  Ndonëse të dy subjektet si prindërit edhe mësimdhënësit, paraqiten në pozita të hedhjes së fajit njëri-tjetrit për mungesë të bashkëpunimit mes tyre, mund të përfundojmë se pasojat për këtë i bartin para së gjithash nxënësit,  të cilët nuk mund të orientohen në mënyrë të drejtë në ato profesione për të cilat kanë paranjohuri, aftësi, vullnet e dëshirë për to.

 

 

 

 

 

 

      Referencat

 

  1. Brada ,Riza : Pedagogjia familjare, Pejë, 1995.
  2. Dërvodeli ,Jonuz : Informimi dhe Orientimi profesional, Prishtinë,1997.
  3. Deva Zuna ,Afrëdita : Edukimi i parashkollorit në familje,Prishtinë,2003.
  4. Krijimi i klasave në qendër fëmijën (mosha 6 – 7 vjeq ),Hap pas Hapi,Instituti për shoqëri të hapur,Tiranë, 1999.
  5. Informator mbi planifikimin e karrieres dhe shkollat profesionale në Kosovë GTZ,2008.
  6. M.B.Arnold: Emotion and Personality, New York, Columbia,Univ.Press.1960.
  7. Wikipendia – Enciklopedi e lirë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Educational counseling in the field of Information and Professional Orientation

 

Summary

 

This paper reflects in objective manner problems of information and right guidance in choosing of a profession. It is fully understandable that one of the key factors to achieve success in process of work is the right information and professional guidance. The importance of pupil’s cooperation with pedagogical advisors in selecting of a profession remains as referential point and ongoing object of study and research. Referring to publications and monographs of the most prominent local and foreign authors, sources from the Internet, I have tried to treat a subject in as much comprehensive way. Research of this problem in theoretical, practical and empirical aspects, aims to highlight some of the main issues that arise in the field of information and right professional orientation. The idea of this paper has to do more with my impressions on the complexity of this issue. Information provided in this paper can serve the purpose of increasing efficiency in the field of information and professional orientation.

 

Keywords: Educational Counseling, Information and Professional Orientation, School Collaboration.



[1] Informator mbi planifikimin e karrieres dhe shkollat profesionale në Kosovë GTZ,2008,fq.3.

[2] Wikipendia – Enciklopedi e lirë

[3] Dr.sc.Afërdita Deva Zuna :Edukimi i parashkollorit në familje,Prishtinë,2003,fq.263

[4] M.B.Arnold:Emotion and Personality,New York,Columbia,Univ.Press.1960,fq.212

[5] Mr.Jonuz Dërvodeli : Informimi dhe Orientimi professional,Prishtinë1997,fq.68

[6] Riza Brada”Pedagogjia familjare,Pejë, 1995,fq.268

[7] Krijimi i klasave në qendër fëmijën (mosha 6 – 7 vjeq ),Hap pas Hapi,Instituti për shoqëri të hapur,Tiranë, 1999,fq.125



Leave a Reply